Adelina u prezantua si diva e Kënges Magjike 2009
Ajo u prezantua si diva, ose surpriza e festivalit “Kënga Magjike 2009”, e cila rikthehej pas plot dhjetë vitesh si konkurrente e fortë e këtij evenimenti, në Tiranë.
Atëherë konkurroi me këngën “Fuck the government”, fitoi çmimin e paraqitjes skenike më të mirë, dhe ishte vetëm 20 vjeçe.
Por tani Adelina Ismajli që është plot 30 vjeçe, më e pjekur, me më shumë vite karrierë, e më shumë fansa e përgjegjësi më të madhe ndaj publikut, duket se ka ardhur me të njëjtin stil si atëherë.
Ikona “sexy”, që me bukurinë dhe perfomancën e saj skenike, për vite të tëra i ka lënë pas të gjitha këngëtaret e tjera.
Producenti dhe prezantuesi i festivalit, Ardit Gjebrea, e prezantoi Adelinën si një “boom” për këtë edicion të “Kënga Magjike”, e cila dukej se kishte ardhur posaçërisht për t'i lënë të gjithë me gojë hapur, si dhe për të treguar se me lëvizjet e saj akrobatike, është ende në formë shumë të mirë. Fakti që emri i saj nuk figuroi në listën e këngëtarëve konkurrentë të publikuar në media, në fakt e bëri interesante shfaqjen e saj papritur, dhe pati një lloj kurioziteti për këtë rikthim të Adelinës në një skenë konkurrimi.
Adelina kishte udhëtuar nga Zvicra për në Shqipëri për të qenë pjesëmarrëse në festival. Ndërkohë që në Kosovë ishin duke u zhvilluar zgjedhjet, ajo ka refuzuar shumë ftesa për të qenë e pranishme në koncertet parazgjedhore. Edhe pse është identifikuar si pjesa artistike e LDK-së, këtë radhë i kishte thënë “jo” ofertës për t'u bërë pjesë e saj.